المعارج
Shkallet • 44 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Dikush kërkoi një dënim të shpejtë.[380]
2Për jobesimtarët askush nuk mund ta ndalojë atë (dënim),
3(që vjen) nga Allahu, Zoti i Rrugëve të Ngjitjes[381].
4Tek Ai ngjiten engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), në një ditë që zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet.
5Prandaj, duro, me durim të hijshëm.
6Ata e mendojnë atë (dënim) të largët,
7kurse Ne e shohim të afërt.
8Atë Ditë qielli do të bëhet si llumi i vajit
9e malet do të bëhen si lesh i shprishur,
10Shoku s’do të pyesë për të shokun,
11edhe pse do të vihen të shohin njëri-tjetrin. Për të liruar veten nga dënimi i asaj dite, fajtori do të sakrifikonte me gjithë qejf fëmijët e vet,
12edhe gruan, edhe vëllanë e vet,
13edhe farefisin, që i gjendej pranë (ne jetën e Tokës),
14si dhe të gjithë ata që gjenden në faqe të Tokës, nëse kjo do të mund ta shpëtonte.
15Por jo, (fajtori do të hidhet në zjarr)! Ai është zjarr flakërues,
16që e shkul (dhe e djeg) krejtësisht skalpin e kokës.
17Ai thërret këdo që (i) ka kthyer shpinën e (i) është larguar (besimit),
18dhe që ka grumbulluar (pasuri) dhe e ka fshehur.
19Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm:
20kur atë e godet e keqja, ai ligështohet fort,
21por, kur i bie e mira, ai bëhet koprrac.
22Përjashtim bëjnë ata që falen,
23e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre;
24e që caktojnë një pjesë të pasurisë së tyre
25për lypësin dhe për nevojtarin;
26e që besojnë në Ditën e Llogarisë (Gjykimit);
27e që frikësohen nga dënimi i Zotit të tyre,
28- vërtet që askush nuk është i sigurt prej dënimit të Zotit të vet -;
29e që e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme),
30përveçse ndaj bashkëshorteve dhe skllaveve të veta - në këtë rast nuk meritojnë qortim,
31por kush kërkon jashtë këtyre caqeve, pikërisht ata janë shkelësit -;
32e që i ruajnë amanetet dhe i plotësojnë besëlidhjet e tyre;
33e që gjithnjë dëshmojnë drejt;
34e që i falin namazet rregullisht.
35Pikërisht ata do të jenë të nderuar në kopshtet e Xhenetit.
36Ç’është kështu me jobesimtarët, që nxitojnë drejt teje
37djathtas e majtas, grupe-grupe?!
38A mos çdonjëri prej tyre shpreson të hyjë në Kopshtin e Lumturisë?
39Kurrsesi! Vërtet që ata e dinë nga çfarë i kemi krijuar!
40Betohem për Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve, që Ne jemi të Zotë
41t’i ndërrojmë ata me njerëz më të mirë se ata dhe askush nuk na pengon dot.
42Andaj, lëri ata të zbaviten me gjëra të kota dhe të luajnë derisa të përballen me Ditën e tyre që u është premtuar,
43Ditën, në të cilën do të dalin nga varrezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt një altari,
44me shikim të frikësuar e të kapluar nga poshtërimi. Ajo është Dita që u është premtuar atyre!