الحاقة
E Verteta • 52 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1E Vërteta e pashmangshme![375]
2Ç’është e Vërteta e pashmangshme?
3E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është e Vërteta e pashmangshme?
4Fiset Themud dhe Ad e mohuan Gjëmimin e tmerrshëm[376],
5prandaj fisi Themud u shkatërrua nga një ulërimë e tmerrshme,
6kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë,
7të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.
8A sheh ndonjë gjurmë të tyre?
9Faraoni, ata para tij dhe populli i qyteteve të rrënuara[377] kryen gjynahe të mëdha,
10dhe e kundërshtuan të dërguarin e Zotit të tyre, andaj Allahu i zhbiu ata me dënim të ashpër.
11Kur vërshoi uji i madh, Ne ju ngarkuam ju[378] në anije,
12për ta bërë atë një paralajmërim, që ta dëgjojë çdo vesh i vëmendshëm.
13Dhe kur t’i fryhet një herë Surit,
14kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërrmohen me një goditje shkatërrimtare,
15atëherë do të ndodhë Ngjarja e pashmangshme (Kiameti).
16Dhe do të çahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm.
17Engjëjt do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Fronin e Zotit tënd.
18Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur:
19Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim!
20Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.”
21Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur,
22në një kopsht të lartë,
23frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.
24(Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!”
25Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im
26dhe të mos e kisha ditur llogarinë time!
27Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)!
28Pasuria ime nuk më solli dobi
29dhe më la fuqia ime!”
30(Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga,
31pastaj digjeni në zjarrin përvëlues,
32mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutesh,
33sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në Allahun e Madhërishëm
34dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë.
35Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt
36e as ushqim tjetër, përveç qelbit,
37të cilin e hanë vetëm gjynahqarët.
38Betohem për gjithçka që ju shihni
39dhe për gjithçka që nuk e shihni,
40se ky (Kuran) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit a.s.)
41e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni!
42Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni!
43Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!
44Sikur ai (Muhamedi), në mënyrë të rreme, të Na kishte veshur ndonjë fjalë,
45Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë
46dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës
47e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte.
48Natyrisht, Kurani është përkujtesë për ata që i frikësohen Zotit!
49Ne e dimë mirë se ka prej jush që e mohojnë atë.
50Ai është keqardhje për mohuesit.[379]
51Ai është, pa dyshim, e vërtetë e pamohueshme.
52Prandaj, lartësoje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!