الليل
Nata • 21 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Për natën që mbulon (me terr),
2për ditën që agon
3dhe për Atë që ka krijuar mashkullin dhe femrën!
4Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme.
5Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai)
6dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit),
7Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.
8Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm,
9dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin),
10Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit,
11e, kur të hidhet (në zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi.
12Neve na përket që t’ua tregojmë rrugën e drejtë,
13dhe, me të vërtetë, e Jona është ajo botë dhe kjo botë!
14Prandaj Unë ju kam tërhequr vërejtjen me një zjarr që flakëron,
15ku do të hidhet vetëm më i keqi,
16që ka mohuar dhe është larguar nga besimi.
17E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet),
18që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten
19dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë,
20por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit.
21Dhe ai, me siguri, do të jetë i kënaqur!