الفجر
Agimi • 30 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Betohem për muzgun e agimit
2dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhxhe)!
3Betohem për çiftin dhe tekun
4dhe për natën kur largohet!
5A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!
6Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad,
7banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe,
8të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!
9Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)?
10Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)?
11Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre,
12duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin,
13prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit.
14Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!
15Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar.”
16Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”.
17Nuk është kështu! Por ju nuk silleni mirë me jetimët
18dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit.
19Trashëgiminë (e të dobëtëve) e zhvatni me lakmi të pangopur,
20dhe e doni pasurinë me një dëshirë të pakufishme.
21Por ani! Kur Toka të bëhet copë e thërrime,
22kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe,
23Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua!
24Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!”
25Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai,
26e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!
27O ti shpirt i qetësuar!
28Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
29Bashkohu me robërit e Mi
30dhe hyr në Xhenetin Tim!