الحجر
Shkembi • 99 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Elif Lâm Râ. Këto janë vargjet e Librit, të Kuranit të qartë!
2Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë.
3Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh!
4Ne nuk kemi zhdukur asnjë vend, pa i ardhur koha e caktuar.
5Asnjë popull nuk mund as ta shpejtojë, as ta ngadalësojë afatin (e shkatërrimit të vet).
6Ata (idhujtarët) thonë: “O ti që të është shpallur Këshilla (Kurani), ti je vërtet i marrë!
7Përse nuk na sjell engjëjt, nëse ajo që thua është e vërtetë?”
8Ne i dërgojmë engjëjt vetëm me shpallje dhe dënim e atëherë (të dënuarve) nuk u jepet afat për të pritur.
9Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.[160]
10Ne u kemi çuar të dërguar edhe para teje, sekteve të mëparshme.
11Por ata talleshin me çdo të dërguar që u vinte.
12Ja, kështu Ne e bëjmë mohimin të futet në zemrat e gjynahqarëve.
13Ata nuk e besojnë atë[161], me gjithë shembujt e popujve të kaluar.
14Edhe sikur Ne të hapnim një derë të qiellit dhe të ngjiteshin nëpër të,
15ata me siguri që do të thoshin: “Sytë tanë kanë qenë të shushatur, madje na kanë magjepsur”!
16Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar atë për shikuesin.
17Ne e ruajmë atë (qiellin) nga çdo djall i mallkuar[162],
18përveç ndonjërit që dëgjon vjedhurazi e të cilin e arrin një yll i këputur me flakë të dukshme.
19Dhe Tokën e kemi shtrirë e nëpër të kemi shpërndarë male të patundura. Ne kemi bërë që në tokë të rritet çdo gjë në përpjesëtim.
20E aty kemi bërë mjetet e jetesës për ju dhe për ata që nuk i mbani ju.
21Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij; por prej tij Ne japim me masë të caktuar.
22Ne i dërgojmë erërat për pllenim dhe zbresim nga qielli ujë, prej të cilit ju japim të pini e të cilin nuk mund ta depozitoni dot.
23Në të vërtetë, vetëm Ne e japim jetën dhe e sjellim vdekjen dhe vetëm Ne jemi trashëgimtarët (e gjithçkaje).
24Vetëm Ne i dimë ata që kanë qenë para jush dhe vetëm Ne i dimë ata, që do të vijnë pas jush.
25Sigurisht që Zoti yt do t’i tubojë ata të gjithë; Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
26Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë,
27kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.
28Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.
29Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim[163], ju t’i përuleni atij në sexhde”,
30Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde,
31përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.
32Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?”
33Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”.
34Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar!
35Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!
36Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!”
37Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat
38deri në një ditë të caktuar."[164]
39Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim,
40përveç robërve të Tu të sinqertë”.
41(Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë.
42Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”
43Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.
44Ai ka shtatë dyer e për çdo derë do të ketë një pjesë të caktuar.
45Vërtet, punëmirët do të jenë në kopshtet e Xhenetit pranë burimeve.
46Atyre do t’u thuhet: “Hyni atje me paqe dhe siguri”!
47Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.
48Aty nuk do t’i mundojë lodhja e prej aty kurrë nuk do të dëbohen.
49Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti,
50dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm!
51Tregoju atyre edhe për mysafirët e Ibrahimit!
52Ata shkuan tek ai dhe i thanë “Paqe!”, por ai tha: “Në të vërtetë, Ne kemi frikë nga ju.”
53Ata thanë: “Mos u frikëso, se ne po të sjellim një lajm të mirë! Ti do të kesh një djalë të dijshëm”!
54Ibrahimi tha: “Po ma sillni këtë lajm të mirë, edhe pse më ka goditur pleqëria?! Mbi ç’bazë po ma sillni këtë lajm?”
55Ata u përgjigjën: “Ne ta japim lajmin e mirë me vërtetësi, prandaj mos u bëj shpresëhumbur!”
56Ibrahimi tha: “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”?!
57Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?”
58(Ata) thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës (për ta shkatërruar të gjithin),
59përveç familjes së Lutit. Ne do t’i shpëtojmë të gjithë ata,
60përveç gruas së tij; për atë Ne kemi caktuar si dënim që të mbetet pas me të tjerët.”
61Dhe, kur të dërguarit erdhën te Luti,
62ai tha: “Unë nuk ju njoh ju!”
63Ata thanë: “Jo, ne të kemi sjellë atë, në të cilën ata dyshojnë,
64të kemi sjellë të vërtetën, prandaj të jesh i sigurt se ajo që të themi, do të bëhet.
65Nisu me familjen tënde në një kohë të natës, shko pas tyre e askush prej jush të mos shikojë prapa, por vazhdoni në drejtimin e urdhëruar!”
66Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të mbramin, do të zhdukej në agim.
67Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim.
68Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj mos më turpëroni!
69Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!”
70Ata thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ne që të presësh mysafirë?”
71Ai tha: “Ja vajzat e mia! Nëse doni të bëni çka synoni (martohuni me to)”.
72Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!
73Ata i kaploi zëri i tmerrshëm (i Xhebrailit) kur lindi Dielli,[165]
74dhe Ne e kthyem qytetin përmbys, duke lëshuar mbi ata shi gurësh prej dheut të pjekur.
75Këto janë njëmend shenja bindëse për ata, që i kuptojnë ato.
76Qyteti i rrënuar është në rrugë, ku gjendet edhe tani.
77Kjo është vërtet treguese për besimtarët.
78Por edhe banorët e Ejkes ishin keqbërës,
79andaj i ndëshkuam dhe që të dy janë në rrugë të dukshme.
80Edhe banorët e Hixhrës (fisi Themud), i quajtën të dërguarit për gënjeshtarë.
81Ne u patëm dhënë shenjat Tona, por ata shmangeshin prej tyre.
82Ata gdhendnin shtëpi në shkëmbinj, duke besuar se nuk do t’i gjente asgjë,
83por edhe ata në agim i goditi zëri i tmerrshëm
84dhe nuk patën aspak dobi nga ajo që patën ndërtuar.
85Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre vetëm me urtësi. Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, andaj ti (o Muhamed) sillu me zemërgjerësi.
86Vërtet, Zoti yt është Krijuesi Madhështor, i Gjithëdijshmi.
87Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.
88Mos i drejto sytë e tu nga kënaqësitë, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre dhe mos u hidhëro për ata! Me besimtarët sillu butë!
89Thuaj: “Në të vërtetë, unë jam vetëm paralajmërues i qartë”.
90Siç është e vërtetë se u dërguam dënim atyre që e ndanë
91dhe e bënë Kuranin në pjesë (duke i besuar ca pjesë dhe duke i mohuar të tjerat),
92ashtu është e vërtetë, për Zotin tënd, se Ne do t’i pyesim ata të gjithë,
93për gjithçka që kanë bërë!
94Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe largohu nga idhujtarët.
95Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin,
96e të cilët, përveç Allahut, adhurojnë edhe zot tjetër. Do ta marrin vesh mirë ata!
97Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre,
98andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!
99Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!