المطففين
Mashtruesit • 36 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje),
2që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë,
3ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë.
4A nuk mendojnë ata se do të ringjallen
5në një Ditë të madhe,
6Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!
7Sigurisht (që do të ringjallen), dhe Libri i punëmbrapshtëve do të jetë në Sixh-xhîn!
8E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Sixh-xhîn?!
9Është një libër i shkruar!
10Mjerë mohuesit atë ditë,
11të cilët mohuan Ditën e Gjykimit!
12Askush nuk e mohon atë, përveç gjynahqarëve që shkelin çdo kufi
13e të cilët, kur u lexohen shpalljet Tona, thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë!”
14Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.
15Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre,
16pastaj, me siguri, do të hyjnë në Zjarrin e Xhehenemit
17e do t’u thuhet: “Ja, kjo është ajo që e quanit të gënjeshtërt!”
18Ndërsa Libri i punëdrejtëve me siguri që do të jetë në Il-lijûn.
19E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Il-lijjûn?
20Është një libër i shkruar!
21Atë e dëshmojnë të afërmit (e Allahut).
22Me të vërtetë, punëdrejtët do të gjenden në Xhenet,
23duke shikuar nga divanet.
24Në fytyrat e tyre do të njohësh shkëlqimin e Lumturisë.
25Atyre do t’u jepet të pinë musht të pastër të ruajtur mirë,
26fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen.
27Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit,
28nga burimi i të cilit do të pinë më të afërmit (e Allahut).
29Vërtet, keqbërësit qeshnin me ata që besonin,
30duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre.
31Kur ktheheshin te njerëzit e vet, ata talleshin (me besimtarët)
32dhe, kur i shihnin ata, thoshin: “Këta janë të humbur”,
33ndonëse nuk qenë dërguar për kujdestarë të tyre.
34Por sot, ata që kanë besuar, do t’i përqeshin jobesimtarët,
35e nga divanet e ngritura do t’i shikojnë.
36A janë shpërblyer meritueshëm mohuesit për atë që kanë bërë?!