عبس
Ai Vrenjti • 42 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Ai[393] u vrenjt dhe ktheu kurrizin,
2kur i erdhi pranë i verbri.
3E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet)
4ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij?!
5Sa për atë që është i pasur,
6ti atij po i kushton vëmendje,
7megjithëse nuk ke përgjegjësi, nëse ai nuk dëshiron të pastrohet.
8Sa për atë që të vjen duke nxituar
9dhe ndien frikë (nga Allahu),
10ti atij nuk po ia vë veshin.
11Mos vepro ashtu! Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë,
12pra, kush të dojë, le të marrë këshillë!
13Ai ndodhet në Faqe të nderuara,[394]
14të lartësuara, të pastra,
15në duart e shkruesve (engjëj)
16të ndershëm dhe të drejtë.
17Mallkuar qoftë njeriu! Sa mosmirënjohës që është ai!
18Prej çfarë gjëje e krijon Allahu atë?
19Prej pikës së farës e krijon dhe i jep përmasa të rregullta.
20Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes)
21e pastaj e vdes dhe i cakton një varr,
22dhe, kur të dojë, Ai e ringjall.
23E megjithatë, njeriu ende nuk i ka plotësuar ato që i ka urdhëruar Ai!
24Le të mendojë njeriu për ushqimin e vet:
25Jemi Ne që lëshojmë ujë me bollëk,
26pastaj e çajmë tokën në thellësi
27dhe nxjerrim prej saj drithërat,
28rrushin e perimet,
29ullirin e palmat,
30kopshtet e dendura,
31pemët dhe gjithë barërat,
32që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
33Por, kur të vijë Ushtima,
34atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai,
35nga e ëma dhe nga i ati,
36nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet.
37Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.
38Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore,
39të qeshura e të gëzuara.
40Atë Ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura,
41që do t’i mbulojë errësira.
42Këta janë jobesimtarët, gjynahqarët.