النازعات
Shkulesit • 46 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Për ata (engjëj) që marrin me forcë,[389]
2për ata që marrin butësisht,[390]
3për ata që notojnë në hapësirë,
4për ata që nxitojnë,[391]
5dhe për ata që i rregullojnë punët![392]
6Ditën kur do të dridhet gjithçka nga ushtima (që lajmëron Kiametin),
7e cila do ta ndiqet nga një e dytë,
8disa zemra do të jenë të mbushura me tmerr
9e shikimet e tyre do të bien përdhe.
10Ata thonë: “Vallë, vërtet do të rikthehemi në jetë?!
11A thua, edhe kur të bëhemi eshtra të thërrmuara?!”
12Dhe thonë: “Po qe kështu, atëherë ky kthim do të jetë humbje (për ne)!”
13Por, ajo do të jetë veç një fryrje e vetme (e Surit)
14dhe ata përnjëherësh do të brofin (të ringjallur).
15A e ke dëgjuar (o Muhamed) historinë e Musait?
16Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas dhe i tha:
17“Shko te Faraoni, se ai, me të vërtetë, ka kaluar çdo kufi;
18dhe thuaji: “A do ta pastrosh veten,
19dhe të të udhëzoj te Zoti yt, që t’i frikësohesh?”
20Musai ia tregoi mrekullinë më të madhe,
21por ai (Faraoni) e mohoi dhe e kundërshtoi.
22Pastaj i ktheu shpinën, duke u përpjekur (kundër së vërtetës)
23dhe tuboi njerëzit e u deklaroi:
24“Unë jam zoti juaj më i lartë!”
25Prandaj Allahu e goditi atë me dënim në jetën tjetër dhe në këtë jetë.
26Kjo është këshillë për ata që i frikësohen Allahut.
27Cili është më i vështirë: krijimi i juaj apo i qiellit, të cilin Ai e ndërtoi,
28ia ngriti lart kupën dhe e përsosi.
29Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme.
30Pastaj e shtriu rrafsh Tokën,
31dhe, nga ajo nxori ujërat dhe bëri kullotat,
32kurse malet i bëri të patundshme,
33që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
34Kur të arrijë gjëma më e madhe,
35atë Ditë njeriu do të kujtojë gjithçka që ka bërë
36dhe Zjarri flakërues do t’i tregohet çdokujt që sheh.
37Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka
38dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote,
39sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin.
40Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat,
41pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.
42Të pyesin ty për Orën (e Kiametit) se kur do të ndodhë.
43Çfarë rëndësie ka për ty që ta përmendësh atë?
44Tek Zoti yt është fundi i (dijenisë rreth) saj.
45Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i frikësohen asaj.
46Ditën kur do ta shohin atë, (njerëzve) do t’u duket se kanë qëndruar (në Tokë) veç një mbrëmje apo një mëngjes.