النبأ
Lajmi • 40 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Për çfarë e pyesin ata njëri-tjetrin?
2Për Lajmin e madh,
3rreth të cilit ata kanë kundërshtime.
4Ani, shpejt do ta marrin vesh!
5Sigurisht që shpejt do ta marrin vesh!
6A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat
7e malet si shtylla?!
8Ne ju kemi krijuar në çifte
9dhe gjumin jua kemi bërë për prehje.
10Natën jua kemi bërë mbulesë,
11ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar.
12Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë
13dhe kemi vënë kandil (diell) të shndritshëm!
14Nga retë Ne ju lëshojmë ujëra të bollshme
15për rritjen e drithërave, bimëve
16dhe të kopshteve të dendura.
17Sigurisht, Dita e Ndarjes vendimtare është caktuar.
18Atë Ditë do të fryhet në Sur dhe ju do të vini grupe-grupe.
19Dyert e qiellit do të hapen
20dhe malet do të shtyhen tutje e do të bëhen si mirazh.
21Me të vërtetë, Xhehenemi do të bëhet pusi,
22vendbanim i caktuar për keqbërësit,
23që aty të mbeten përgjithmonë.
24Aty nuk do të shijojnë as freski, as pije,
25përpos ujit të valuar dhe qelbësirave,
26si shpërblim përkatës (të veprave të tyre).
27Në të vërtetë, ata as që e çonin nëpër mend se do të jepnin llogari
28dhe shpalljet Tona i mohonin prerazi.
29Por Ne çdo gjë e kemi shënuar në një libër.
30Prandaj do t’u themi: “Shijojeni këtë! Ne nuk do t’ju shtojmë gjë tjetër përveçse dënim!”
31Vërtet, për punëdrejtët është përgatitur e mira (Xheneti):
32kopshte dhe vreshta,
33vajza të reja, të së njëjtës moshë,
34dhe kupa të plota.
35Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra.
36Kështu është shpërblimi nga Zoti yt - dhuratë sipas meritës
37Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, i Gjithëmëshirshmi, të Cilit askush nuk do të mund t’i flasë (nga frika).
38Në ditën, kur Shpirti (Xhebraili) dhe engjëjt do të jenë të rreshtuar, nuk do të flasë askush, përveç atij që do t’i japë leje i Gjithëmëshirshmi e që do të thotë të vërtetën.
39Ajo është Dita e Vërtetë, prandaj kush të dojë, le të kthehet te Zoti i vet (që në këtë jetë).
40Me të vërtetë, Ne ju kemi paralajmëruar se është i afërt dënimi, Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!”