المرسلات
Te Derguarat • 50 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Për ato që dërgohen njëra pas tjetrës,[388]
2për ato që shpejtojnë shtrëngatën,
3për ato që shpërndajnë shiun,
4për ato që ndajnë saktësisht
5dhe për ato që përcjellin këshilla,
6si shfajësim apo paralajmërim!
7Në të vërtetë, ajo që ju është premtuar, do të bëhet!
8Kur yjet të shuhen
9dhe, kur qielli të çahet
10dhe, kur malet të thërrmohen si pluhur
11dhe, kur të dërguarit të tubohen në kohën e caktuar
12- në cilën ditë do të ndodhin të gjitha këto?
13Në Ditën e Ndarjes vendimtare!
14Kush vallë do të ta shpjegojë se ç’është Dita e Ndarjes vendimtare?
15Mjerë mohuesit në atë ditë!
16A nuk i kemi zhdukur të lashtët
17e pastaj do t’i bëjmë të tjerët t’i pasojnë?
18Kështu do të veprojmë me të gjithë keqbërësit!
19Mjerë mohuesit në atë ditë!
20A nuk ju kemi krijuar nga një pikë lëngu të shpërfillur,
21të cilën e vumë në një vend të sigurt (mitër),
22deri në një kohë të caktuar?!
23Kështu e kemi rregulluar; sa Rregullues të shkëlqyer jemi Ne!
24Mjerë mohuesit në atë ditë!
25A nuk e kemi bërë Tokën vendqëndrim
26të të gjallëve dhe të të vdekurve?
27A nuk kemi vënë në të male të larta e të patundshme? A nuk ju kemi dhënë të pini me bollëk ujë të ëmbël?
28Mjerë mohuesit në atë ditë!
29(Do t’u thuhet): Nisuni drejt atij (dënimi) që e mohuat!
30Shkoni drejt një hijeje me tri kolona (tymi të Xhehenemit),
31e cila nuk bën hije (freskuese) dhe as nga flaka nuk të shpëton!
32Ajo hedh shkëndija të mëdha sa një kala,
33sikur të ishin deve të verdha!
34Mjerë mohuesit në atë ditë!
35Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin
36dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.
37Mjerë mohuesit në atë ditë!
38Kjo është Dita e Ndarjes vendimtare, në të cilën do të tuboheni ju dhe popujt e lashtë,
39prandaj, nëse zotëroni ndonjë dinakëri, përdoreni kundër Meje!
40Mjerë mohuesit në atë ditë!
41Punëdrejtët do të jenë mes hijesh e burimesh,
42si dhe frutash nga ato që dëshirojnë.
43(Do t’u thuhet) “Hani e pini e ju bëftë mirë, (si shpërblim) për atë që keni punuar.”
44Kështu i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë vepra të mira.
45Mjerë mohuesit në atë ditë!
46Hani dhe kënaquni për pak kohë! Ju jeni keqbërës!
47Mjerë mohuesit në atë ditë!
48Kur atyre u thuhej: “Përkuluni (në namaz para Allahut)!” ata nuk përkuleshin.
49Mjerë mohuesit në atë ditë!
50Në çfarë shpallje tjetër do të besojnë ata, pas këtij (Kurani)?!