الإنسان
Njeriu • 31 ajete • Medine
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?![384]
2Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë fare e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.
3Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.
4Pa dyshim, Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr flakërues.
5Sigurisht, të ndershmit besimtarë do të pinë (në Xhenet) kupa me pije të përzier me Kafur,[385]
6nga burimi që vetëm robtë e Allahut pinë dhe të cilin mund ta çojnë nga të duan.
7Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund.
8Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët robër edhe pse vetë janë nevojtarë,
9duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!
10Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.”
11Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim
12dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.
13Të mbështetur në divane, ata nuk do të kenë as vapë dhe as të ftohtë.
14Hija e pemëve të tij (Xhenetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t’i kenë afër sa t’i arrijnë me dorë.
15Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali,
16kupa të tejdukshme argjendi, madhësinë e të cilave (do ta zgjedhin) sipas dëshirës.
17Aty do të pinë gota me pije të përzier me xhenxhefil,
18prej një burimi të quajtur Selsebil.
19Atyre do t’u shërbejnë djem përherë të rinj, që, kur i shikon, të duken si margaritarë të shpërndarë.
20Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe.
21Ata do të jenë të veshur me petka të holla mëndafshi të gjelbër dhe me armaç mëndafshi të trashë, të stolisur me byzylykë të argjendtë. Zoti i tyre do t’u japë të pinë pije të pastër.
22Ky do të jetë me të vërtetë shpërblimi juaj; përpjekjet tuaja do të jenë të pranuara.
23Në të vërtetë, Ne ta kemi shpallur Kuranin ty hap pas hapi.
24Prandaj ki durim për vendimin e Zotit tënd e mos dëgjo asnjë gjynahqar apo jobesimtar prej tyre!
25Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje.
26Në një pjesë të natës[386] bëji sexhde Atij dhe, natën falju gjatë[387] Atij.
27Vërtet që jobesimtarët e duan jetën e këtushme dhe nuk e përfillin një Ditë të vështirë, që do t’u vijë.
28Ne i krijuam ata dhe ua forcuam strukturën, por, nëse duam, i ndërrojmë plotësisht me të tjerë si ata.
29Në të vërtetë, kjo është këshillë, prandaj, kush të dojë, le të ndjekë rrugën që e shpie te Zoti i tij.
30Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut! Ai është vërtet i Gjithëdijshëm e i Urtë.
31Ai pranon në mëshirën e Vet kë të dojë, ndërsa për keqbërësit ka përgatitur një dënim të dhembshëm.