القيامة
Ringjallja • 40 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Betohem në Ditën e Kiametit!
2Betohem në shpirtin qortues!
3A mendon njeriu se nuk do të mund t’i mbledhim eshtrat e tij?!
4Po, si jo! Ne jemi të Zotë t’ia ribëjmë bashkë me përsosmëri edhe majat e gishtave të tij.
5Por njeriu dëshiron të gabojë sa të jetë gjallë
6dhe pyet: “Kur do të jetë Dita e Kiametit?”
7Por, kur sytë t’i verbohen
8dhe të zihet Hëna
9dhe Dielli e Hëna të bashkohen,
10atë ditë njeriu do të thotë: “Ku të iki?”
11Askund! S’ka strehë!
12Atë ditë, streha është te Zoti yt.
13Atë ditë, njeriu do të vihet në dijeni për veprat që ka bërë dhe për ato që ka lënë pa bërë.
14Po, vërtet që njeriu do të dëshmojë kundër vetvetes,
15edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta.
16Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde![382]
17Ne e kemi për detyrë t’i mbledhim pjesët e tij e ta lexojmë atë.
18Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!
19Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.
20Por ju doni këtë jetë (kalimtare)
21e për jetën tjetër nuk kujtoheni!
22Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë
23dhe Zotin e tyre do të shohin.
24Kurse disa fytyra, atë ditë, do të jenë të zymta,
25duke e ditur se do të pësojnë një fatkeqësi, që të thyen në mes.
26Por, kur shpirti të vijë në grykë
27e të thërrasin “A ka shërues”,
28atëherë, ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes
29dhe këmbët do të ngrijnë[383].
30Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt.
31Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal,
32por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin,
33e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar.
34Mjerë për ty! Mjerë për ty!
35Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty!
36Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?
37A s’ka qenë një pikë fare që derdhej,
38pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krijoi dhe i dha formë e përmasa të caktuara,
39e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?!
40Vallë, Ai Krijues, a nuk ka fuqi që t’i ngjallë të vdekurit?!