المدثر
I Mbuluri • 56 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1O ti i mbështjellë (o Muhamed)!
2Çohu dhe paralajmëro!
3Zotin tënd madhëroje,
4petkat e tua pastroji
5dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!
6Mos jep gjë me synimin që të marrësh më shumë
7dhe për hir të Zotit tënd duro,
8se, kur të fryhet në Sur,
9ajo do të jetë një ditë e rëndë.
10Për jobesimtarët nuk do të jetë aspak e lehtë.
11Më lër Vetëm (të merrem) me atë që e krijova
12dhe i dhashë pasuri të pamasë
13e djem pranë vetes!
14Unë ia bëra kamjen të lehtë e të shtruar,
15e, megjithatë, ai lakmon që t’i jap më tepër.
16Jo, kurrsesi! Vërtet, ai i mohoi me kryeneçësi shpalljet Tona,
17prandaj Unë do ta ngarkoj atë me dënime të rënda.
18Ai mendoi dhe kurdisi (kundër Kuranit),
19dhe qoftë mallkuar, si kurdisi!
20Dhe sërish qoftë mallkuar, si kurdisi!
21Pastaj vështroi rreth vetes,
22mblodhi vetullat e u vrenjt,
23pastaj u kthye i kapardisur
24dhe tha: “Ky (Kuran) nuk është gjë tjetër, veçse magji e trashëguar!
25Këto janë vetëm fjalë të një vdekatari!”
26Do ta hedh në Sekar (Xhehenem)!
27E si mund ta dish ti tamam se çfarë është Sekari (zjarri përvëlues)?
28Ai nuk lë gjë dhe nuk kursen asgjë,
29lëkurat i shkrumbon.
30Atij i rrinë roje nëntëmbëdhjetë (engjëj).
31Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit vetëm engjëjt dhe numrin e tyre e kemi bërë sprovë (objekt polemikash) për jobesimtarët, me qëllim që të binden ata që u është dhënë Libri e t’u shtohet besimi atyre që besojnë; që të mos dyshojnë ata që u është dhënë Libri dhe besimtarët e vërtetë dhe që të thonë ata që kanë sëmundjen e dyshimit në zemër dhe jobesimtarët: “Ç’ka dashur të thotë Allahu me këtë shembull?” Kështu, Allahu lë në humbje atë që do dhe çon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Ky është vetëm një përkujtesë për njerëzit.
32Kurrsesi! Betohem për Hënën,
33për natën që largohet
34e për agimin që zbardhëllon
35se ai (Xhehenemi) është vërtet një nga fatkeqësitë më të mëdha,
36paralajmërim për njerëzit,
37për ata nga ju që dëshirojnë të ecin përpara (me vepra të mira) ose të kthehen mbrapsht (me vepra të këqija).
38Çdo njeri është peng i veprave të veta,
39përveç njerëzve të krahut të djathtë;
40të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin
41për keqbërësit:
42“Çfarë ju ka sjellë në Sekar?”
43Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz
44dhe as prej atyre që i ushqenin të varfrit.
45Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët
46dhe mohonim Ditën e Llogarisë,
47derisa na erdhi vdekja.”
48Prandaj, kurrfarë ndërmjetësimi i cilitdo ndërmjetësuesi nuk do t’i ndihmojë ata.
49Atëherë, përse shmangen ata nga këshillimi,
50sikur të ishin gomarë të egër
51e të frikësuar që ikin prej luanit?!
52Vërtet, çdonjëri prej tyre kërkon që t’i jepen shkrime të hapura (nga Zoti).
53Kurrsesi, pasi ata nuk i frikësohen jetës tjetër!
54Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë,
55prandaj, kush të dojë, le t’ia vërë veshin!
56Por atij ia vënë veshin vetëm ata që do Allahu. Vetëm Ai është i Denjë për t’u pasur frikë dhe vetëm Ai është i Denjë për të falur.