الجن
Xhinet • 28 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Thuaj (o Muhamed): “Mua më është shpallur se disa prej xhindeve kanë dëgjuar (Kuranin) dhe kanë thënë: ‘Me të vërtetë, kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm,
2i cili udhëzon në rrugën e drejtë dhe kemi besuar në të, prandaj kurrsesi më nuk do t’i shoqërojmë askënd Zotit tonë (në adhurim)!
3Qoftë lartësuar Madhëria e Zotit tonë! Ai nuk ka zgjedhur as bashkëshorte, as bir.
4Por disa të marrë nga ne flisnin gënjeshtra për Allahun,
5kurse ne mendonim se as njerëzit, as xhindet nuk flasin gënjeshtra për Allahun.
6Në të vërtetë, ka pasur njerëz që kërkonin mbrojtje nga xhindet, por kjo vetëm sa i çoi më tej në gabime.
7Edhe ata mendonin siç mendonit ju, se Allahu nuk do të ringjallte askënd.
8Ne jemi ata që kemi synuar qiellin, por kemi hasur në plot roje të forta (engjëj të fuqishëm) dhe shigjeta të zjarrta (meteorë).
9Dhe uleshim rreth tij, nëpër vende të përshtatshme për të dëgjuar diçka, por ai që përgjon tani, do të hasë në shigjeta të zjarrta (meteorë) në pritë.
10Ne nuk e dimë nëse (me këto roja të qiellit) është synuar e keqja (zbritja e dënimit) për ata që janë në Tokë apo Zoti i tyre kërkon t’i udhëzojë në rrugë të drejtë?!
11E midis nesh ka të mirë, por ka edhe që nuk janë të mirë; jemi ndarë në grupime të ndryshme.
12Ne e dimë se nuk mund t’i shpëtojmë Allahut në Tokë dhe nuk mund t’i shmangemi Atij duke ikur (në qiell).
13Posa dëgjuam udhëzimin (Kuranin), Ne besuam në të; e kush beson në Zotin e vet, nuk ka përse të frikësohet se mos dëmtohet, as se mos i bëhet padrejtësi.
14Ka prej nesh që janë myslimanë, por ka edhe të atillë që janë jobesimtarë. Kush ka përqafuar Islamin, ka zgjedhur rrugën e drejtë,
15kurse jobesimtarët do të jenë lëndë djegëse të Xhehenemit.’
16Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm,
17për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër.
18Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!
19Kur robi i Allahut (Muhamedi), u ngrit t’i lutej Atij, ata (xhindet) u tubuan rreth tij si shtëllungë.”
20Thuaj (o Muhamed): “Unë i lutem vetëm Zotit tim dhe nuk i shoqëroj Atij askënd (në adhurim)”.
21Thuaj: “Unë nuk mund t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”.
22Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut; dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai.
23Unë kam për detyrë veç t’ju përcjell atë që më vjen nga Allahu dhe mesazhet e Tij. Këdo që s’dëgjon Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e pret zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të mbetet përgjithmonë.”
24Kur ata të shohin atë që u është premtuar, do ta dinë se kush është më i dobët dhe më i paktë në numër.
25Thuaj (o Muhamed!): “Unë nuk e di, a është afër ajo që ju është premtuar apo Zoti im do ta vonojë.”
26Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt,
27përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (engjëj),
28në mënyrë që ta dijë nëse i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht.