ص
Sad • 88 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Sâd! Betohem në Kuranin plot këshilla,
2(se ti Muhamed thua të vërtetën), por jobesimtarët janë mendjemëdhenj dhe kundërshtues.
3Sa e sa breza para tyre, Ne i kemi zhdukur; ata kanë thirrur për mëshirë, por ka qenë vonë!
4Ata (mekasit) çuditen për ardhjen e një paralajmëruesi nga gjiri i tyre dhe jobesimtarët thonë: “Ky është magjistar dhe gënjeshtar.
5A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!”
6Paria e tyre largohet, duke thënë: “Mos ia vini veshin dhe qëndroni të durueshëm pranë zotave tuaj! Kjo është puna që duhet bërë vërtet.
7Këtë (monoteizëm) nuk e kemi dëgjuar në fenë e fundit (fenë e krishterë). Ky është vetëm një trillim i gënjeshtërt.
8Pse, vetëm atij i është shpallur Fjala e Allahut ndërmjet nesh?!” Po, ata dyshojnë në Këshillën Time, sepse ende nuk e kanë provuar dënimin Tim.
9A mos vallë, ata kanë në dorë thesaret e mëshirës së Zotit tënd, të Plotfuqishmit, Dhuruesit?!
10Apo i tyre është pushteti i qiejve, i Tokës dhe ç’ka midis tyre?! Atëherë le të ngjiten me litar (në qiell).
11Grupi i tyre (mekasve) është vetëm një prej ushtrive, të cilat do të shpartallohen.
12Edhe para tyre ka përgënjeshtruar populli i Nuhut, fisi Ad dhe Faraoni - njeriu i hunjve (ku torturonte njerëzit),
13por edhe fisi Themud, edhe populli i Lutit, edhe banorët e Ejkës; ata ishin vërtet ushtri të fuqishme.
14Të gjithë ata i quajtën të dërguarit gënjeshtarë, andaj e merituan dënimin Tim.
15Kurse këta (mekasit) presin vetëm një britmë (fryrjen e parë të bririt) që nuk do të pushojë[278].
16Ata thonë: “O Zoti ynë, shpejtona pjesën tonë (të dënimit) para Ditës së Llogarisë!”
17Ti duroje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm, Davudin, që përherë i drejtohej Zotit.
18Ne ia nënshtruam malet që, bashkë me të, t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes,
19edhe shpendët e tubuar. Të gjithë i drejtoheshin Atij.
20Ne ia forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar.
21A e ke dëgjuar historinë e dy kundërshtarëve, që hipën mbi murin e faltores së tij?
22Kur hynë te Davudi, ai u frikësua prej tyre. Ata thanë: “Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë”.
23(Njëri prej tyre tha:) “Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: “Ma jep mua atë!” - dhe më mundi me fjalë.”
24Davudi tha: “Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. Davudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar.
25Pastaj, Ne ia falëm këtë e ai te Ne do të jetë i afërt dhe do të ketë strehim të mirë (në jetën tjetër).
26“O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë.”
27Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr!
28A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe turbulluesit në Tokë?! A t’i trajtojmë njëlloj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!
29Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.
30Ne i falëm Davudit Sulejmanin, një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit!
31Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë,
32ai tha: “Unë shfaqa dashuri më të madhe për pasurinë (kuajt), sesa për lutjen ndaj Zotit tim, derisa dielli humbi mbas malit.
33M’i ktheni ata (kuajt)” - e pastaj nisi t’i presë me shpatë këmbët dhe qafat e tyre.
34Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, por ai iu drejtua Zotit
35dhe tha: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!”
36Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai.
37(Gjithashtu ia nënshtruam) edhe djajtë, ndërmjet të cilëve kishte ndërtues dhe zhytës në ujë,
38si dhe të tjerë të lidhur në pranga.
39(Ne i thamë): “Kjo është dhurata Jonë për ty, prandaj jep lirisht ose mos jep gjë prej saj, sepse nuk do të kesh kurrfarë llogarie për këtë!
40Me të vërtetë, ai te Ne do të ketë vend të afërt dhe strehim të mirë (në jetën tjetër).
41Kujtoje robin Tonë Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Me të vërtetë, më ka goditur djalli me mundim dhe vuajtje!”
42(Ne iu përgjigjëm): “Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!”
43Ne ia kthyem atij familjen dhe dy herë më tepër, si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët.
44(Ne i thamë atij): “Merr me dorën tënde një tufë thuprash e bjeri lehtë me to (gruas tënde) dhe mos e shkel betimin tënd![279]” Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti!
45Kujto robërit Tanë: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, të fortë (në besim) dhe largpamës.
46Ne u dhuruam atyre një virtyt të veçantë, që ta kenë gjithmonë në mend botën e ardhshme.
47Njëmend, ata janë tek Ne, nga njerëzit më të mirë e më të zgjedhur.
48Kujtoje edhe Ismailin, Eljesain dhe Dhulkiflin. Të gjithë ata kanë qenë nga besimtarët e zgjedhur e të mirë.
49Ky është një përkujtim. Vërtet, për njerëzit që ruhen nga gjynahet, ka kthim të mirë (në botën tjetër):
50në kopshtet e Adnit, dyert e të cilit janë të hapura për ta.
51Aty do të prehen e do të kënaqen me pemë dhe pije të llojllojshme.
52Pranë tyre do të ketë hyri të dëlira e moshatare që nuk shikojnë anash.
53Kjo ju është premtuar për Ditën e Llogarisë.
54Këto janë, njëmend, begatitë Tona që nuk kanë të sosur!
55Kjo është kështu (për besimtarët). Kurse për njerëzit e pabindur, do të ketë vërtet një kthim të keq
56në Xhehenem, ku do të digjen. Eh, sa vendqëndrim i shëmtuar që është ai!
57Kjo i pret ata! Le ta shijojnë ujin e valuar dhe të qelbët
58dhe të tjera mundime të llojllojshme, të ngjashme me to.
59Ne do t’u themi prijësve të jobesimtarëve: “Ky është një grumbull bashkë me ju.[280] Nuk ka mirëseardhje për ta. Me siguri që ata do të digjen në zjarr!”
60Pasuesit jobesimtarë do t’u thonë prijësve të tyre: “Ah, ju mos paçi çlirim e as qetësi! Ju na keni sjellë në këtë gjendje! Eh, sa strehim i keq është ky!”
61Pastaj ata do të thonë: “O Zoti ynë! Atyre që na e përgatitën këtë neve, dyfishojua dënimin në Zjarr!”
62Do të thonë: “Pse nuk po i shohim njerëzit, që ne i quanim të këqij,
63dhe i përqeshnim apo na kanë humbur sysh?”
64Kjo do të ndodhë vërtet. Banorët e zjarrit (të Xhehenemit) do të grinden ndërmjet tyre.
65Thuaj (o Muhamed): “Në të vërtetë, unë jam vetëm paralajmërues. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit,
66Zotit të qiejve e të Tokës dhe të gjithçkaje që gjendet midis tyre, të Plotfuqishmit, Falësit të Madh”.
67Thuaj: “Ky (Kuran) është një mesazh i madh,
68e megjithatë ju nuk po ia vini veshin atij.
69Unë nuk kam pasur asnjë dijeni për Grupin më të Lartë, kur diskutonin mes tyre (për krijimin e Ademit).
70Mua më është shpallur se jam vetëm paralajmërues i qartë.”
71Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte.
72Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!”,
73të gjithë engjëjt së bashku u përulën në sexhde,
74përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh e një nga mohuesit.
75Zoti tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?”
76Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më ke krijuar prej zjarrit, kurse atë prej balte”.
77Allahu tha: “Atëherë dil prej Xhenetit! Me të vërtetë, ti je i mallkuar
78dhe mallkimi Im do të jetë mbi ty deri në Ditën e Gjykimit”.
79Ai tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!”
80Zoti tha: “Në të vërtetë, ty do të të jepet afat
81deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)”.
82Ai tha: “Betohem në madhërinë Tënde se unë do t’i mashtroj ata të gjithë,
83përveç robërve të Tu të sinqertë!”
84Zoti tha: “E vërteta është - dhe Unë them vetëm të vërtetën
85se, do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të pasojnë ty”!
86Thuaj (o Muhamed): “Unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi për këtë (Kuran) e as pretendoj të jem diçka që s’jam.
87Në të vërtetë, ky Kuran është këshillë për tërë botën!
88Dhe ju me siguri që do ta merrni vesh të vërtetën shumë shpejt!”