النجم
Ylli • 62 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Betohem në yllin kur perëndon,
2se shoku juaj (Muhamedi a.s.) nuk ka humbur e nuk ka devijuar!
3Ai nuk flet sipas qejfit të vet,
4por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.
5Atë ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhebraili),
6mendjelartë, që iu paraqit qartë,
7në horizontin më të lartë.
8Pastaj iu afrua e iu lëshua,
9sa largësia midis dy harqeve ose edhe më afër,
10e i shpalli robit të Allahut, atë që i shpalli.
11Zemra (e Muhamedit) nuk gënjen për atë që ka parë.
12Vallë, a do ta kundërshtonit atë për çfarë ka parë,
13ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër,
14te Sidretul Munteha-ja,
15ku ndodhet Xheneti i Strehimit.
16Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?![338]
17Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën,
18por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij!
19A e keni parë Latën dhe Uzzën?
20Po Menatën,[339] të tretën, të fundit?
21Vallë, për ju janë djemtë, ndërsa për Atë vajzat?!
22Kjo ndarje është e padrejtë.
23Këta janë vetëm emra që ua keni ngjitur (idhujve) ju dhe të parët tuaj, kurse Allahu nuk ju ka dërguar për ata asnjë provë. Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).
24A do të ketë njeriu gjithçka që dëshiron?
25Vetëm Allahut i përkasin bota tjetër dhe kjo botë!
26Sa engjëj ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën asnjë dobi, veçse pasi të japë leje Allahu, për kë të dojë e të pëlqejë Vetë!
27Vërtet, ata që nuk besojnë në jetën tjetër, u japin engjëjve emra femërorë.
28Ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë, por ndjekin vetëm hamendjen, ndonëse hamendja nuk mund ta zëvendësojë aspak të vërtetën.
29Andaj, ti (o Muhamed) largohu prej atij, që i kthen kurrizin Kuranit dhe, që dëshiron vetëm jetën e kësaj bote!
30Kaq arrin gjithë dija e tyre! Në të vërtetë, Zoti yt i njeh më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij dhe ata që ndjekin rrugën e drejtë.
31Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e, për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë, me shpërblimin më të mirë.
32Për ata që ruhen prej gjynaheve të mëdha dhe veprave imorale, përveç gjynaheve të vogla, me të vërtetë, Zoti yt është i Gjerë në falje. Ai ju njeh mjaft mirë, qysh se ju krijoi nga dheu dhe qysh se keni qenë embrion në barkun e nënave tuaja. Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet.
33A e ke vënë re atë që shmanget (nga e vërteta)
34dhe jep pak e pa qejf?
35A i di ai vallë gjërat e padukshme, a i sheh ato?
36Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Shkrimet e Musait
37dhe të Ibrahimit - i cili i plotësoi detyrimet:
38se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit
39dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar;
40se përpjekjet e tij do të shihen
41dhe se do të shpërblehet me shpërblim të plotë;
42se te Zoti yt do të jetë kthimi;
43se Ai jep gazin dhe vajin
44dhe se Ai jep vdekjen dhe jetën;
45se Ai krijon çiftet, mashkull e femër,
46prej një pike fare kur derdhet,
47dhe se Atij i takon krijimi tjetër;
48se Ai jep pasuri dhe kënaqësi të mjaftueshme,
49Ai, që është Zoti i Siriusit[340];
50se Ai i ka shkatërruar fiset e lashta Ad
51e Themud, duke mos lënë askënd prej tyre,
52si dhe popullin e Nuhut më parë, sepse qe më i padrejtë dhe rebel;
53se Ai i asgjësoi edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit),
54të cilat i mbuloi ajo që i mbuloi?!
55Atëherë, në çfarë dhuntie të Zotit tënd dyshon ti?
56Ky (Profet) është paralajmërues si ata të mëparshmit.
57Ora e Kiametit po afrohet
58dhe askush, përveç Allahut, nuk mund ta zbulojë atë!
59Vallë, prej kësaj fjale po çuditeni
60dhe po qeshni e nuk po qani?
61Madje, jeni edhe të shkujdesur!
62Më mirë përuluni në sexhde për Allahun dhe adhurojeni Atë!