الدخان
Tymi • 59 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Hâ, Mîm.
2Betohem në Librin e qartë!
3Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar[306]. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.
4Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë,
5me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar,
6si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
7Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje.
8S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!
9Por ata argëtohen duke dyshuar.
10Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë,
11që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!”
12(Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!”
13E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta
14e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët”?!
15Edhe sikur t’ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).
16Ditën, kur do t’i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.
17Përpara tyre Ne vumë në sprovë popullin e Faraonit, kur u pat ardhur i Dërguari fisnik,
18(i cili u tha): “Më sillni robërit e Allahut,[307] sepse Unë jam për ju një i dërguar i besuar!
19Dhe mos u madhëroni mbi Allahun, sepse unë po ju sjell provë të qartë!
20Unë kërkoj mbështetje në Zotin tim dhe Zotin tuaj, që të mos më vrisni me gurë!
21Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!”
22Dhe ai iu lut Zotit të vet: “Ky është vërtet një popull keqbërës!”
23(Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata[308] do t’ju ndjekin!
24Lëreni pas detin e hapur, se ata, me siguri, do të fundosen si ushtri”!
25Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata,
26sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike,
27dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin!
28Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër.
29Nuk i vajtoi ata as qielli, as Toka, as nuk iu dha afat atyre.
30Ne i shpëtuam bijtë e Israilit nga dënimi poshtërues
31prej Faraonit, që ishte tiran, njeri që kalonte çdo kufi të së keqes.
32Ne i zgjodhëm ata, me qëllim mbi popujt e tjerë (të asaj kohe)
33dhe u dhamë shenja, në të cilat ka sprova të qarta.
34E megjithatë, jobesimtarët thonë:
35“Ekziston vetëm vdekja jonë e parë, ne nuk do të ringjallemi!
36Na i risillni, pra, të parët tanë, nëse thoni të vërtetën!”
37A janë këta më të mirë se populli i Tubbas apo ata para tyre? Ne i shkatërruam ata, sepse ishin vërtet punëmbrapshtë.
38Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur!
39Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.
40Me të vërtetë, Dita e Gjykimit, është e caktuar për të gjithë ata.
41Atë Ditë, i afërmi nuk mund ta ndihmojë aspak të afërmin e as ata vetë nuk do t’i ndihmojë kush,
42me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
43Pema e zekumit
44do të jetë ushqim i gjynahqarit.
45Si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tij,
46ashtu si vlon uji i nxehtë.
47(Engjëjve do t’u thuhet): “Rrëmbejeni atë dhe çojeni në mes të zjarrit flakërues!
48Pastaj, për dënim, hidhni mbi kokën e tij ujë të valuar (duke i thënë):
49“Shijoje këtë, o njeri “i fuqishëm” dhe “fisnik”!
50Ja, ky është dënimi për të cilin ju dyshonit!”
51Punëdrejtët, me të vërtetë, do të jenë në vend të sigurt,
52midis kopshteve dhe burimeve,
53të veshur në petka mëndafshi të hollë dhe armaç, të ulur përballë njëri-tjetrit.
54Po, kështu do të jetë, dhe Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.
55Aty do të kërkojnë çfarëdo frutash që të dëshirojnë e do të jenë të sigurt.
56Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë dhe Ai do t’i shpëtojë prej dënimit të zjarrit flakërues.
57Kjo do të jetë dhunti prej Zotit tënd. Kjo është fitorja madhështore!
58Ne e kemi bërë të lehtë Kuranin në gjuhën tënde, që ata të mund të marrin këshilla.
59Andaj ti prit, se edhe ata vetë po presin!