الشعراء
Poetat • 227 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Tâ, Sîn, Mîm.
2Këto janë vargjet e Librit të qartë.
3A mos vallë ti (o Muhamed) do ta shkatërrosh veten, ngaqë ata (banorët e Mekës) nuk duan të besojnë?
4Sikur të donim Ne, do të zbritnim nga qielli një shenjë, para së cilës ata do të përulnin kokat.
5Sa herë që atyre u vjen ndonjë Këshillë e re nga i Gjithëmëshirshmi, ata ia kthejnë kurrizin.
6Ata e kanë përgënjeshtruar atë, prandaj do t’u vijë ai (ndëshkim), me të cilin janë tallur.
7Vallë, a nuk shohin ata tokën, prej së cilës kemi bërë të mbijnë sa e sa lloje çifte bimësh fisnike?
8Sigurisht që këtu ka shenja (të njëjësisë së Zotit), por shumica e tyre nuk besojnë.
9Zoti yt është vërtet i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
10Kur Allahu e thërriti Musain: “Shko te populli keqbërës,
11populli i Faraonit! vallë, a nuk po i frikësohen ata Allahut?”
12Ai u përgjigj: “O Zoti im, unë kam frikë se do të më quajnë gënjeshtar,
13e zemra do të më ngushtohet, kurse gjuha mund të më lidhet, andaj, dërgoje edhe Harunin (të më ndihmojë).
14Unë jam edhe përgjegjës ndaj tyre për një krim, andaj kam frikë se do të më vrasin”.
15Allahu tha: “Kurrsesi! Shkoni që të dy me shenjat Tona. Me të vërtetë, Ne jemi me ju dhe dëgjojmë.
16Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve,
17që të lejoni bijtë e Israilit të vijnë me ne!”
18Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?!
19E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?!”
20Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar.
21Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit.
22A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Israilit (popullin tim) i bëre skllevër”?
23Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?”
24(Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”.
25(Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!”
26Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.”
27(Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”.
28(Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni.
29(Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!”
30(Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “
31(Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!”
32(Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë!
33Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!
34(Faraoni) i tha parisë së tij, që e kishte përreth: “Ky qenka magjistar vërtet i dijshëm!
35Me magjitë e veta, ai dëshiron t’ju dëbojë nga toka juaj, prandaj ç’më këshilloni ju?”
36Ata u përgjigjën: “Lëre këtë dhe vëllanë e tij për pak kohë dhe ço lajmëtarë nëpër qytete,
37që të t’i sjellin ty të gjithë magjistarët e dijshëm”.
38Magjistarët u mblodhën në ditën e caktuar,
39e popullit iu tha: “A jeni mbledhur të gjithë,
40që të shkojmë pas magjistarëve, nëse ata do të jenë fitues?!”
41Kur erdhën magjistarët, i thanë Faraonit: “Vërtet do të shpërblehemi, nëse dalim fitues?”
42Ai u përgjigj: “Po, madje do të jeni vërtet ndër të afërmit e mi”.
43Musai u tha atyre: “Hidheni atë që doni ta hidhni!”
44Ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: “Për madhërinë e Faraonit, me të vërtetë, Ne do të jemi fitues patjetër!”
45Pastaj, Musai hodhi shkopin e tij, që i kapërdiu përnjëherësh sajimet e tyre të rreme!
46Atëherë magjistarët ranë përmbys, duke bërë sexhde,
47dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e botëve,
48Zotin e Musait dhe të Harunit!”
49(Faraoni) tha: “I besuat atij (Musait) para se t’ju lejoja unë! Patjetër që ai është i madhi juaj, i cili ju ka mësuar magjinë. Ta dini se unë, në të vërtetë, do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t’ju kryqëzoj të gjithëve!
50Ata thanë: “S’ka gjë! Sigurisht, Ne do të kthehemi te Zoti ynë.
51Ne shpresojmë se Zoti ynë do të na i falë gjynahet, meqë jemi besimtarët e parë.”
52Pastaj, Ne i shpallëm Musait: “Ti udhëto natën me robërit e Mi, por do të jeni të ndjekur”.
53Dhe Faraoni dërgoi nëpër qytete lajmëtarë
54(Për të thënë:) “Këta janë një grup i vogël që
55na kanë provokuar,
56por ne jemi kurdoherë të gatshëm!”
57Kështu, Ne i bëmë ata të lënë kopshtet dhe lumenjtë,
58thesaret e pallatet e mrekullueshme.
59Kështu ndodhi, dhe Ne ia dhamë të gjitha këto bijve të Israilit.
60Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre.
61Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!”
62Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”.
63Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.
64Atëherë Ne i afruam aty të tjerët.
65Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, i shpëtuam,
66kurse të tjerët i fundosëm.
67Pa dyshim, në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
68Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
69Tregoju atyre historinë e Ibrahimit,
70kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?
71Ata u përgjigjën: “Adhurojmë idhujt e përherë u jemi përkushtuar atyre”.
72Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni?
73A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?”
74U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu”.
75Ai tha: “A keni menduar mirë mbi çfarë keni adhuruar,
76si ju, ashtu edhe të parët tuaj të lashtë?
77Në të vërtetë, ata janë armiqtë e mi, përveç Zotit të botëve,
78i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë);
79i Cili më ushqen dhe më jep të pi;
80i Cili, kur sëmurem, më shëron;
81i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë;
82dhe i Cili, shpresoj se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Gjykimit!
83O Zoti im, më dhuro dituri dhe më radhit me të mirët!
84Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme
85dhe më bëj një nga trashëgimtarët e Xhenetit të begatë!
86Fale babanë tim, sepse ai është njëri nga të humburit,
87dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit,
88në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët,
89përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”
90Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm,
91ndërsa Xhehenemi do t’u tregohet atyre që kishin humbur.
92Ata do të pyeten: “Ku janë idhujt që ju i adhuronit
93në vend të Allahut? A mund t’ju ndihmojnë ata ose, a mund ta ndihmojnë veten?”
94Kështu, ata do të hidhen në zjarr bashkë me mohuesit,
95si dhe të gjithë ushtarët e Iblisit.
96Ndërsa ndodhen aty brenda, ata do të grinden ndërmjet tyre, duke thënë:
97“Betohemi për Allahun, ne kemi qenë njëmend në humbje të qartë,
98kur ju kemi barazuar me Zotin e botëve.
99Ishin të ligjtë ata që na mashtruan,
100Tashmë ne nuk kemi asnjë ndërmjetësues (tek Allahu)
101e as ndonjë mik të ngushtë!
102Ah, sikur të ktheheshim përsëri (në jetë) e të bëheshim besimtarë!”
103Sigurisht që në këtë ka shenja treguese, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
104e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
105Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të dërguarit.
106Kujto kur vëllai i tyre - Nuhu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
107Në të vërtetë, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
108andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
109Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi; mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
110Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!”
111Ata thanë: “Vallë, a të të besojmë ne ty, ndërkohë që ty po të pasojnë më të ulëtit?”
112Ai tha: “Unë nuk di ç’kanë bërë ata!
113Llogaria e tyre është vetëm te Zoti im, a nuk kuptoni?
114Unë nuk do t’i dëboj besimtarët,
115unë jam vetëm paralajmërues i qartë.”
116Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të gurëzohesh”.
117Ai tha: “O Zoti im, populli im më mohoi,
118andaj, Ti gjyko mes meje dhe atyre dhe më shpëto mua e besimtarët që janë me mua!”
119Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkën plot,
120kurse të tjerët që mbetën pas, i fundosëm.
121Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
122Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
123Fisi Ad i quante gënjeshtarë të dërguarit.
124Kujto kur vëllai i tyre - Hudi, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
125Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju,
126andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
127Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
128A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur,
129dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë?
130Edhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni atë si tiranë.
131Andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
132Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini:
133ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë,
134edhe kopshte, edhe burime.
135Unë, me të vërtetë, i trembem për ju dënimit të një Dite të madhe”.
136Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti.
137Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë
138e ne nuk do të jemi të dënuar.”
139Ata e quajtën gënjeshtar atë, andaj Ne i shkatërruam ata. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica njerëzve nuk janë besimtarë.
140Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
141Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të dërguarit.
142Kujto kur vëllai i tyre - Salihu, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
143Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
144andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
145Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
146Vallë, a mendoni ju, se do të mbeteni këtu të sigurt,
147në kopshte e pranë burimeve,
148në ara me të lashta dhe palma hurmash me fruta të shijshme?
149Ju i gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të rrallë,
150andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua,
151dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe
152e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim”.
153Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur!
154Ti je vetëm një vdekatar - ashtu si ne, andaj na sill një mrekulli, nëse ajo që thua është e vërtetë!”
155Ai tha: “Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara.
156Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të madhe!
157Por ata e therën e pastaj u erdhi keq.
158Dhe kështu, ata i goditi dënimi. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë.
159Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
160Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit.
161Kujto kur vëllai i tyre - Luti, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
162Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju,
163andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
164Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
165Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve
166e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.”
167Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”.
168Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju!
169O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!”
170Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij - të gjithë,
171përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët.
172Pastaj, të tjerët i shkatërruam.
173Mbi ata lëshuam një breshëri gurësh. Eh, sa i keq që ishte ai shi, për ata që janë paralajmëruar!
174Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë.
175Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
176Edhe banorët e Ejkës i quajtën gënjeshtarë të dërguarit,
177Kujto kur Shuajbi u tha atyre: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut?
178Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju,
179andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua!
180Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.
181Bëjeni drejt matjen dhe mos u bëni nga ata që hanë (në matje).
182Peshoni drejtësisht me peshore të saktë,
183mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, mos bëni ngatërresa në Tokë
184dhe frikësojuni Atij, që ju ka krijuar ju dhe brezat e mëparshëm!”
185Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur.
186Ti je vetëm një vdekatar, si ne. Në të vërtetë, Ne mendojmë se ti je gënjeshtar;
187andaj, lësho mbi ne një copë nga qielli, nëse thua të vërtetën!
188Ai tha: “Zoti im e di më së miri atë që punoni ju.”
189Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi Ditës së Errësirës. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.
190Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë,
191Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
192Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve.
193Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili)
194në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë.
195E zbriti në gjuhën e qartë arabe.
196Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve.
197Vallë, a nuk është provë për ata (mekasit), që atë (Muhamedin) e kanë njohur dijetarët e bijve të Israilit?
198Por edhe sikur t’ia shpallnim Kuranin ndonjë jo-arabi
199e ai t’ua lexonte atyre - ata përsëri nuk do të kishin besuar.
200Ja kështu, Ne ua kemi shtënë (mohimin) në zemër keqbërësve.
201Ata nuk do ta besojnë atë, derisa të shohin dënimin e dhembshëm.
202Por ai do t’u vijë atyre papritmas e ata nuk do ta ndiejnë fare.
203Atëherë ata do thonë: “A do të na jepet afat?”
204A mos vallë, ata duan ta shpejtojnë dënimin Tonë!?
205Mendo, nëse Ne i lëmë që të kënaqen disa vjet
206e pastaj t’i godasë ai (dënim) që u është premtuar,
207çfarë vlere do të kishte ajo me të cilën janë kënaqur?
208Asnjëherë, Ne nuk kemi shkatërruar ndonjë vendbanim, pa i çuar më parë paralajmërues,
209si këshillë për ata. Ne nuk jemi asnjëherë të padrejtë.
210Atë (Kuran) nuk e kanë zbritur djajtë.
211Jo vetëm që kjo s’u takon atyre, por as nuk kanë fuqi të bëjnë një si ai.
212Në të vërtetë, ata mënjanohen nga të dëgjuarit (e Shpalljes).
213Prandaj, mos adhuro tjetër zot, përveç Allahut, që të mos bëhesh nga ata që do të dënohen!
214Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm
215dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!
216E, nëse nuk të dëgjojnë, thuaju: “Unë nuk jam përgjegjës për ato që bëni ju”.
217Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin,
218i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit)
219dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.
220Vërtet, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
221A doni t’ju tregoj se kujt i vijnë djajtë?
222Ata i vijnë çdo gënjeshtari gjynahqar.
223Ata përgjojnë, por shumica e tyre janë gënjeshtarë.
224Poetët ndiqen nga njerëzit e humbur.
225Vallë, a nuk e sheh ti, që ata bredhin në çdo luginë (të fjalës së kotë),
226duke folur atë që kurrë s’e bëjnë?
227Përveç atyre (poetëve) që besojnë, bëjnë vepra të mira, e përmendin shumë Allahun dhe mbrohen, vetëm pasi u është bërë padrejtësi. Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).