الأنبياء
Profetet • 112 ajete • Mekke
بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).
2Sa herë që atyre u vjen nga Zoti i tyre ndonjë paralajmërim i ri, ata e dëgjojnë, duke u tallur me të.
3Zemrat e tyre janë të hutuara. Ndërsa ata që janë idhujtarë, flasin fshehurazi: “A është ky (Muhamedi) diçka tjetër, përveçse njeri si ju? Vallë, a do të shkoni ju pas magjisë (së tij), kur e shikoni me sytë tuaj?
4(I Dërguari) tha: “Zoti im e di se ç’flitet qoftë në qiell, qoftë në Tokë, Ai dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm.”
5Ata[202] thonë: “Këto[203] janë vetëm ëndrra të turbullta! Ose ai[204] i ka trilluar ato. Madje ai është poet. Le të na sjellë një mrekulli, ashtu si i kanë sjellë të dërguarit e parë!”
6Asnjë vendbanim nga ata që i kemi shkatërruar, nuk ka besuar e vallë, a do të besojnë këta?
7Edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve, u kemi shpallur; andaj, pyetni njerëzit e shkrimeve (të mëparshme), nëse ju nuk dini!
8Dhe ne nuk i kemi bërë ata (të dërguarit) trupa që nuk hanë ushqim, as nuk kanë qenë të pavdekshëm.
9Pastaj, ua kemi përmbushur atyre premtimin e i kemi shpëtuar së bashku me njerëzit (besimtarë) që kemi dashur; ndërsa i kemi shkatërruar ata që e kanë shkelur kufirin (mohuesit).
10Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju. Vallë, a nuk po kuptoni?
11Sa e sa vendbanime, banorët e të cilëve kanë qenë mohues, i kemi shkatërruar; e pas tyre kemi ngritur popuj të tjerë!
12Kur e ndienin dënimin Tonë, ata iknin me të shpejtë.
13Mos ikni! Kthehuni atje, në luksin tuaj dhe në pallatet tuaja, se ju do të pyeteni.”
14Ata do të thonë: “Mjerë ne, me të vërtetë, kemi qenë keqbërës!”
15Këto rënkime të tyre nuk pushuan, derisa Ne i palosëm si drithë i korrur.
16Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim).
17Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt, hyritë etj.), nëse do të bënim diçka të tillë.
18Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket. Dhe, mjerë për ju, për atë që i vishni (Allahut!)
19Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje,
20por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.
21Vallë, a mos i kanë marrë zotat prej dheu, që të ishin në gjendje t’i ngjallnin të vdekurit?
22Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!
23Ai nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.
24Vallë, a adhurojnë ata të tjerë zota, në vend të Atij?! Thuaj: “Sillni provën tuaj!” Ky është mesazhi për ata që janë me mua dhe i atyre që kanë qenë para meje, por shumica e tyre nuk e di të Vërtetën dhe shmangen nga ajo”.
25Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!”
26Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka për Vete një bir (prej engjëjve)”. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar! Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar.
27Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij.
28Ai e di se ç’ka para tyre (ç’kanë vepruar) dhe ç’ka pas tyre (çfarë do të veprojnë), ndërsa ata ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin Ai është i kënaqur, e prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon).
29Këdo prej tyre që thotë: “Unë jam zot, përveç Atij”, Ne e dënojmë me Xhehenem. Kështu i “shpërblejmë” keqbërësit.
30A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!
31Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit dhe bëmë lugina dhe rrugë për të udhëtuar në to.
32Ne e bëmë qiellin mbulesë të mbrojtur, por përsëri ata shmangen nga shenjat që gjenden aty.
33Allahu është Ai, i Cili krijoi natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën; e të gjitha këto lundrojnë në gjithësi.
34Para teje, Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?!
35Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.
36Kur të shohin jobesimtarët, ata tallen me ty (duke thënë): “Ky është ai që i përmend (për keq) zotat tuaj?” Ndërkohë, ata e mohojnë Këshillën e të Gjithëmëshirshmit.
37Njeriu është krijuar i ngutur. Unë do t’jua tregoj shenjat e Mia, prandaj mos më kërkoni të ngutem.
38Ata thonë: “Kur do të bëhet ky premtim, nëse flisni të vërtetën?”
39Sikur mohuesit ta dinin kohën, kur nuk do të mund ta shmangin zjarrin nga fytyrat dhe shpinat e tyre dhe nuk do të ndihmohen, (nuk do të flisnin kështu)!
40Por atyre (Kiameti) do t’u vijë papritmas e do t’i trullosë, kështu që nuk do të mund ta shmangin atë e as nuk do t’u jepet afat!
41Në të vërtetë, janë përqeshur edhe të dërguar të tjerë para teje, por shpotitësve u erdhi dënimi, me të cilin talleshin.
42Thuaj: “Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i të Gjithëmëshirshmit?” Jo, askush! E, megjithatë, ata shmangen nga përmendja e Zotit të tyre.
43Apo ata kanë zota të tjerë, të cilët mund t’i mbrojnë prej Nesh? Këta nuk mund të ndihmojnë as veten dhe askush nuk mund t’i marrë në mbrojtje kundër Nesh.
44Ne u dhamë atyre dhe baballarëve të tyre kënaqësi e ua zgjatëm jetën. A nuk e shohin vallë ata që Ne i qasemi tokës së tyre dhe ia cungojmë skajet? E si mund të jenë ata fitues?!
45Thuaj: “Unë vetëm ju paralajmëroj, me atë që më është shpallur”. Por, shurdhët nuk e dëgjojnë thirrjen kur paralajmërohen.
46Sikur ata t’i prekte një puhi prej dënimit të Zotit tënd, me siguri, do të thoshin: “Mjerë ne që kemi qenë keqbërës!”
47Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje.
48Ne i dhamë Musait dhe Harunit Dalluesin[205], që është dritë dhe këshillë për të devotshmit,
49që i frikësohen Zotit të tyre - edhe kur nuk i sheh askush dhe, që i tremben Orës (së Kiametit).
50Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi shpallur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!
51Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë).
52Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”,
53ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.”
54(Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.”
55Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?”
56Ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.
57(Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!”
58Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.
59Disa thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!”
60Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.”
61“Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë” – thanë ata.
62Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?”
63Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!”
64Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.”
65Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!”
66Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?!
67Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!”
68Ata thirrën: “Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!”
69Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”
70Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.
71Ne e shpëtuam atë dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.
72Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin si dhunti dhe të gjithë i bëmë të drejtë.
73Ne i bëmë ata udhëheqës që udhëzonin sipas urdhrit Tonë dhe i frymëzuam që të bënin vepra të mira, të kryenin faljet dhe të jepnin zekatin, dhe ata vetëm Ne na adhuruan.
74Lutit i dhamë urtësi dhe dituri, dhe e shpëtuam prej vendbanimit ku bëheshin vepra të liga. Ata ishin vërtet njerëz të këqij e të mbrapshtë.
75Lutin e pranuam në mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ai është prej të mirëve.
76(Kujtoje) Nuhun kur ai Na thirri më përpara, dhe Ne iu përgjigjëm atij, duke e shpëtuar atë dhe familjen e tij nga mjerimi i madh (mbytja).
77Dhe e ndihmuam atë kundër popullit që i quante gënjeshtra shenjat Tona. Me të vërtetë, ai ishte popull i keq, prandaj e fundosëm të gjithin.
78(Kujtoje) edhe Davudin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat në të cilat kishin kullotur natën bagëtitë e disa njerëzve. Ne ishim dëshmitarë të gjykimit të tyre.
79Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri. Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Davudin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto.
80Ne i mësuam atij (Davudit) punimin e parzmoreve prej hekuri për ju, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj, a jeni mirënjohës?
81Sulejmanit i dhamë erën e fortë, që të fryjë sipas urdhrit të tij, drejt tokës, të cilën Ne e kemi bekuar; Ne jemi të Dijshëm për çdo gjë.
82Dhe (ia nënshtruam atij) disa nga djajtë që zhyteshin në det për të, (duke nxjerrë xhevahire) dhe bënin edhe punë të tjera dhe Ne i ruanim ata (që të mos i bënin dëm).
83(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!”
84Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.
85(Kujto) Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta kanë qenë të durueshëm.
86Ne i pranuam ata me mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ata ishin ndër të drejtët.
87(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”
88Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.
89(Kujtoje) Zekerijan, kur iu lut Zotit të vet: “O Zoti im, mos më lër vetëm (pa fëmijë), e Ti je trashëgimtari më i mirë.”
90Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh.
91(Kujtoje) atë që ruajti virgjërinë e saj[206]! Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë dhe e bëmë atë dhe birin e saj[207] mrekulli për gjithë njerëzit.
92Vërtet, ky është besimi juaj - besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!
93Njerëzit janë përçarë në çështje të besimit, por të gjithë do të kthehen te Ne (Ditën e Gjykimit).
94Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet. Dhe këtë Ne ia shënojmë atij.
95Është e pamundur, që banorët e një vendi, të cilët i kemi zhdukur Ne, të kthehen sërish në këtë botë.
96Dhe, kur të dalin Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e të shpejtojnë prej çdo lartësie,
97dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Kiameti), atëherë sytë e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Mjerë për ne! Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj dhe e kemi ngarkuar veten me gjynahe”.
98Me të vërtetë, ju (idhujtarë) dhe idhujt që i adhuroni në vend të Allahut, do të jeni lëndë djegëse për Xhehenemin. Ju do të vini në të.
99Sikur këta të ishin zota (të vërtetë), nuk do të vinin atje dhe të gjithë do të mbeteni përherë aty.
100Ata do të gulçojnë dhe nuk do të dëgjojnë (asgjë).
101Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë, do të jenë larg nga Xhehenemi.
102Ata nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre.
103Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar.”
104Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.
105Ne shënuam në Zebur, pas Teuratit, që tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.
106Me të vërtetë, në këtë (Kuran) ka mësime të mjaftueshme për ata që (e) adhurojnë (Allahun).
107Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.
108Thuaj: “Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i vetëm; pra, a jeni myslimanë[208]?”
109E, nëse ata i shmangen (thirrjes sate), ti thuaju: “Unë ju kam lajmëruar të gjithëve pa dallim dhe nuk di a është afër apo larg ajo, që ju është premtuar.
110Ai i di vërtet fjalët e thëna haptazi apo fshehtazi.
111Ndërsa unë nuk e di: a është ajo[209] sprovë për ju apo kënaqësi e përkohshme.
112O Zoti im, gjyko me drejtësi! Zoti ynë është i Gjithëmëshirshmi, ndihmën e të Cilit kërkojmë kundër atyre që thoni.”